Pak ditë me parë familjes se Isuf Gjokajt iu kumtua lajmi se po bëhet me shtëpi të re, e cila do të ndërtohet nga shoqata Jetimat e Ballkanit dhe fondacioni i Behgjet Pacollit.
Mirëpo ky gëzim iu ndërpre në gjysmë, pasi që i njëjti nuk po ka tokë se ku ta ndërtoj atë, sepse aty ku kishtë jetuar me herët është nën pronësi të vëllait të tij dhe se i njëjti nuk po e lë që ta ndërtojë shtëpinë.
Ai përmes një videoje të dërguar në redaksinë e portalit rajoni.org, ka apeluar tek qytetarët që ta ndihmojnë në blerjen e truallit për ndërtimin e shtëpisë.
Lidhur me lajmin se kjo familje do të bëhet me shtëpi, e kishte komunikuar edhe faqja zyrtare e Komunës se Skënderajt.
“Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, humanisti Halil Kastrati nga Jetimat e Ballkanit dhe Selim Pacolli, kanë vizituar sot familjet që janë prekur nga vërshimet e janarit të këtij viti, shtëpitë e të cilave u bënë të pabanueshme nga dëmtimet si pasojë e fatkeqësisë.
Me këtë rast, atyre u kumtua lajmi se po bëhen me shtëpi të reja, të cilat do të ndërtohen nga Shoqata Jetimat e Ballkanit dhe Fondacioni Behgjet Pacolli.
Kryetari Nura ka përgëzuar familjet e Isak Smajlit – Kuçicë, Jetullah e Avdullah Imerit – Tushilë, Xhafer Zyhranit – Llaushë dhe Isuf Gjokajt – Skenderaj, të cilat shumë shpejt do të vazhdojnë jetën në kushte më të mira banimi”.