Në Beograd organizohet një ndër protestat më të mëdha, kërkohet dorëheqja e Vuçiqit.
Pas organizimit fillestar, para Parlamentit të Serbisë, protestuesit kanë nisur ecjen nëpër rrugë.
Ata janë dëgjuar duke bërtitur “Vuçiq, dorëhiqu”, dhe “Vuçiq, largohu”.
Thirrjet e njëjta janë dëgjuar edhe përpara objektit të Qeverisë së Serbisë, ku janë mbajtur, po ashtu, protesta.
Një ditë para protestës, në Parlamentin e Serbisë kanë nisur diskutimet për situatën e sigurisë në shtet, dhe shkaqet që kanë çuar në dy vrasjet.
Mbajtja e një seance të tillë ka qenë kërkesë e protestuesve në marshet e kaluara.
Në mesin e kërkesave tjera ka qenë dorëheqja e ministrit të Policisë, Bratislav Gashiq dhe e drejtorit të Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë (BIA), Aleksandar Vulin.
Ata janë duke kërkuar edhe zëvendësimin e trupit rregullativ për mediat elektronike, mbylljen e tabloideve që, sipas tyre, bëjnë thirrje për dhunë, dhe për tërheqjen e frekuencave për televizionet Pink dhe Happy.
Pas tragjedisë që ka ndodhur në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”, Branko Ruzhiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Edukimit.
Më 3 maj, një nxënës 13-vjeçar i ka vrarë tetë nxënës dhe një roje sigurimit, si dhe i ka plagosur gjashtë nxënës tjerë dhe një mësues.
Një vajzë e plagosur, ka vdekur ndërkohë.
Sulmuesi është dërguar në Klinikën e Psikiatrisë për Fëmijë dhe të Rinj, në Beograd.
Një ditë më vonë, më 4 maj, në fshatin Dubona, afër Beogradit, një 21-vjeçar, i ka vrarë tetë persona, dhe i ka plagosur 14 persona tjerë.
Sulmuesi është arrestuar dhe e ka pranuar krimin e kryer.
Pas këtyre akteve, autoritet e kanë rritur prezencën policore në shkolla, dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i dorëzojnë armët e tyre në polici.