Një veturë e cila ishte vjedhur në Suedi dhe bartte targat e këtij shteti, është sekuestruar muaj më parë në Prishtinë. Pas veprimeve hetimore ishte arritur që të identifikohet edhe personi i cili dyshohet se ka kryer veprën, mirëpo i njëjti ishte i pakapshëm për organet e rendit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 30-vjeçari i dyshuar është arrestuar gjatë ditës së djeshme në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’.
I dyshuari është ndaluar në aeroport, pasi që gjatë verifikimit ka rezultuar se është në kërkim policor.
Njësitë policore kanë shoqëruar në stacion të dyshuarin, i cili është recidivist i veprave penale dhe është intervistuar nga hetuesit.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Vjedhja’.