Zyrtarë të Komisariatit të Kavajës kanë zbarkuar pasditen e sotme, në banesën e Habib Rexhës, autorit të vrasjes së Arjan Gosës në një lokal në qendër të qytetit.
Sipas mediave në Shqipëri, thuhet se po negociohet me familjarët e tij me qëllim që ai të vetëdorëzohet.
Mësohet se Rexha jetonte prej kohësh në Britaninë e Madhe.
Ai ka hyrë në territorin shqiptar në datën 5 maj përmes Aeroportit të Rinasit, nga shteti britanik ku ai jetonte si emigrant i rregullt.
Ai kishte udhëtuar në Shqipëri për të marrë hakun e vëllait të tij Altin Rexha, që mbeti viktimë e një përplasjeje me vëllain e Arjan Gosës në 29 mars të këtij viti.
Pas një sherri banal rreth dy muaj më parë, Gosa dhe Rexha qëlluan njëri-tjetrin me thikë dhe armë zjarri duke mbetur të dy të vdekur.
Habib Rexha u identifikua nga kamerat e sigurisë.
Ai qëlloi Gosën kur ishte në kafe me babain e tij dhe u largua me vrap.
Më pas kishte marrë një makinë dhe udhëtoi drejt Durrësit ku ka humbur gjurmët. Policia e Shqipërisë, kishte vënë 10 mijë euro shpërblim për atë që jep informacione që çojnë në kapjen e tij.