Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ka pritur në takim Grupin e fëmijëve “Respect Our Rights” dhe Koalicionin e Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve, të cilët kërkuan mbështetje për përmirësimin e mëtejmë të gjendjes së gjithëmbarshme të pozitës së fëmijëve në Kosovë.
Temë diskutimi e këtij takimi ishte ulja e varfërisë te fëmijët, mbrojtja sociale e tyre, rritja e cilësisë në arsim, zhvillimi në fëmijërinë e hershme dhe parandalimi i dhunës ndaj tyre.
“Në takim me këto dy organizata, Presidentja Osmani ka theksuar se përgjatë mandati pesë vjeçar, një nga prioritetet e angazhimit të saj do të jetë pikërisht fusha e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Më tej, Presidentja Osmani ka potencuar se vëmendja ndaj fëmijëve nuk duhet të fokusohet në vetëm një ditë siç është 1 Qershori, por në secilën ditë të vitit”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera në njoftim, në këtë kontekst, Osmani ka thënë se për ta përmirësuar pozitën e fëmijëve duhet rritet investimi dhe cilësia në arsim, të prioritizohet edukimi i hershëm si dhe të zhvillohen reforma në planin afatgjatë.
Sipas Osmanit, fëmijët nuk duhet trajtohen vetëm brenda shtëpive të tyre, por edhe nga institucionet shtetërore.
Ajo u ka bërë ftesë të gjithë fëmijëve dhe organizatave që merren me të drejta të tyre ta ngrisin zërin sa herë që cenohen, duke u zotuar për mbështetje institucionale për një jetë më të mirë për ta.