Arrestohen tre zyrtarë të Postës në Kaçanik

Arrestohen tre zyrtarë të Postës në Kaçanik

R.L., K.Z. dhe A.Ç, zyrtarë të Postës së Kosovës në Kaçanik, janë arrestuar nën dyshimin se kanë falsifikuar nënshkrimin e konsumatorëve në 28 dërgesa. 

Sipas një njoftimi për media të Policisë së Kosovës, me këtë veprim të dyshuarit kanë rrezikuar kontratën e Postës së Kosovës me një kompani, me pasoja të mëdha financiare.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), respektivisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Ferizaj, pas veprimeve hetimore për një periudhë kohore disa javore, ka arritur të siguroj dëshmi se të dyshuarit me iniciale (R.L.), (K.Z.) dhe (A.Ç.)  zyrtarë të postës – dega në Kaçanik, gjatë ushtrimit të detyrës në vazhdimësi nga 01.12.2022 deri 31.12.2022, kishin manipuluar në librin e dorëzimit të Dërgesave të Regjistruara të kësaj Zyre Postare, me dyshimin se në 28 dërgesa janë falsifikuar nënshkrimet e konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e PK-së.

“Në këtë mënyrë personat e dyshuar të lartcekur me iniciale- Zyrtarë të Postës së Kosovës, kanë rrezikuar kontratën mes Postës së Kosovës dhe një kompanie, me pasoja të mëdha financiare, në dëm të Postës së Kosovës”, vijon njoftimi i policisë.

Tre të dyshuarit janë ndaluar për 48-orë, për veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Related Articles