“Infermieri 525 euro, asistenti i deputetit për të lexuar email 600 euro pagë”, kështu ka thënë anëtari i Kuvendit të Odës së Infermierëve të Kosovës, Enlirat Duraku përmes një postimi në Facebook.
Duraku ka shkruar se vetëm sot u ka ofruar shërbime 50 pacientëve, teksa punë primare e një asistenti të deputetëve do të jetë leximi i emaileve, e me një rrogë 600 euro.
“Asistenti i deputetit 600€! Ndërsa personalisht unë sot kam ofruar shërbime për 50 pacient, përkundër 50 emailiave e cila duket se do jetë puna primare e këtyre asistentë, gjithmonë duke u bazuar në deklarimet publike të deputetëve”, ka shkruar Duraku.
Tutje ai ka treguar punët e vështira me të të cilat përballen si infermierë, por që në fund kanë një rrogë 525€ deri në 560€.
“Tani se a është më e rrezikshme aplikimi i substancave biologjike apo qëndrimi para monitorit për të lexuar email, këtë po u’a lë të vendosni ju. Në anën tjetë nuk duhet harruar menaxherët që nga Kryeinfermieri i Klinikës e deri tek ata të shërbimeve të cilët po të kishin një monitor që evidenton hapat se sa kalojnë për sigurimin e barërave me kohë për pacientët, ju garantoj që ai matë si hapave do kishte mesazhin “ERROR” sepse as paisjet nuk kanë munë si t’a bëjnë mbatjen apo nuk nuk janë të programuar për intenzitet të tillë. Në fund, infermieri ka pagën 525€ deri në 560€”, tha Duraku.