Gjykata e shkallës së parë e Elbasanit, në Shqipëri, liroi nga burgu ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ndërsa i kishte mbetur pa shlyer edhe një vjet e tetë muaj nga dënimi.
Tahiri u dënua me tre vjet e katër muaj heqje lirie, në shkurt të vitit 2022, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Gjykata e argumentoi lirimin e tij të premten, më 2 qershor, me një raport të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku theksohej se bashkëshortja e ish-ministrit të Brendshëm, për shkak të problemeve shëndetësore, nuk mund të kujdeset për dy fëmijët e çiftit.
Dënimin e mbetur, pasi vuajti 16 muaj heqje lirie, Tahiri do ta kalojë në shtëpi dhe sipas vendimit të Gjykatës, ai mund të lëvizë nga banesa vetëm “për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare, kur Shërbimi i Provës është dakord”.
Avokati mbrojtës Maks Haxhia tha se Tahiri plotësonte kushtet e dënimit alternativ.
“Nuk mund të pretendohet se ka rrezikshmëri të theksuar shoqërore për veprën penale për të cilën është dënuar. Ka dy fëmijë në ngarkim. Bashkëshortja vuan nga një sëmundje, që kur e kapin krizat është në pamundësi që t’u shërbejë fëmijëve”, tha avokati Haxhia për mediat.
Vetë ish-ministri reagoi në rrjetet sociale duke thënë se u përball me padrejtësi dhe se tani nuk do të ndalet duke kërkuar drejtësi.
Tahiri u akuzua për trafik droge, por u dënua për shpërdorim detyre
Më 4 shkurt të vitit 2022,Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) pas një seance të gjatë, dënoi Tahirin me pesë vjet burg për “shpërdorim të detyrës”.
Për shkak se Tahiri pranpoi gjykimin e shkurtuar, dënimi u ul në tre vjet e katër muaj burgim.
Tahiri u dënua vetëm për “shpërdorim detyre” duke i “shpëtuar” akuzave të tjera të ngritura nga Prokuroria si: “Korrupsion i zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Dënimin prej 16 muajsh e ka vuajtur në burgun në Kosovë të Lushnjës.
Ish-ministri i brendshëm, u vu nën hetim në vitin 2017, nën dyshimet se kishte lidhje me një grup kriminal të drejtuar nga vëllezërit Habilaj, me të cilët Tahiri ka lidhje farefisnore. Ata janë të akuzuar për trafik lëndësh narkotike dhe ky grup është duke u hetuar edhe në Itali.
Asokohe, në aktakuzë, Prokuroria përmendte katër episode të trafikimit të drogës drejt Italisë, ku sipas hetuesve ishte përfshirë edhe ish-ministri. Për këtë akuzë u kërkua dënimi me 12 vjet burg. Për shkak të mungesës së provave, Gjykata e dënoi vetëm për “shpërdorim detyre”.
Prokuroria e kundërshtoi vendimin në Gjykatën e Apelit, e cila vendosi ta kthej çështjen në shkallën e parë.
Beteja vijon në Gjykatën e Lartë, ku ish-ministri kërkon pafajësi, ndërsa Prokuroria kërkon që Tahiri të mos dënohet vetëm për shpërdorim detyre, por për favorizim të trafikut drogës drejt Italisë, si pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga vëllezërit Habilaj.
Reagimet për lirimin e ish-ministrit të Brendshëm
Lirimi i ish-ministrit Tahiri solli reagime të shumta në Shqipëri.
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim e cilësoi “zhgënjyes” lirimin e tij nga burgu.
“Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa, vazhdojnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri”, theksoi ambasadorja në Facebbok.
Duke vlerësuar se këto metoda nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirant për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), ambasadorja kërkon që ato duhet të refuzohen me vendosmëri.
Ambasadorja Kim kujton se “SHBA-ja e konsideron korrupsionin si një kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare”.
“Ata që merren me dhënien ose pranimin e kërcënimeve dhe nxitjeve – për shembull, për të ndihmuar miqtë e fuqishëm – duhet të kuptojnë se veprimet e tyre do të kenë pasoja”, shkroi ambasadorja Kim.
Ndërkaq opozita e cilësoi lirimin e Tahirit si “turp për drejtësinë”. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi tha se vendimi ishte politik dhe “nxitje për thellimin e korrupsionit dhe abuzimin me pushtetin”.
Sipas ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, lirimi u bë me urdhër të kryeministrit akual, Edi Rama.