Zgjedhjet e reja në katër komunat në veri të Kosovës, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, po shihen si rrugëzgjidhje për situatën e tensionuar.
Mbrëmë për këtë çështje u deklarua presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ndërkohë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pasi tha se ka pajtueshmëri për shtensionim të situatës në veri, kërkoi zgjedhje të reja menjëherë, garantim të pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe nisjen e punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Por, proceduralisht, si mund të organizohen zgjedhjet e reja?
“Mundësia e parë dhe më e lehtë është në rast të dorëheqjes së katër kryetarëve, presidentja i shpallë zgjedhjet. Mundësia e dytë, që është më e komplikuar, formë e drejtpërdrejtë e mini-referendumit. Kjo procedurë fillon me mbledhjen e 20 % të nënshkrimeve të votuesve të një komune, dhe kështu niset si procedurë. Kjo kërkesë dërgohet të kryetari i komunës. Ai e dërgon te KQZ, dhe ky institucion është i obliguar që të organizojë një proces votimi, ku qytetarëve iu ofrohet një fletëvotim me dy opsione, për ose kundër, dhe në mënyrë që të konsiderohet i ligjshëm si proces, duhet që të marrin pjesë 50% të votuesve, dhe duhet të votojnë 50% +1 votues për largimin e kryetarit. Në rast se arrihet kjo kuotë, atëherë sërish presidentja i shpallë zgjedhjet e reja”, tha për RTK-në Eugen Cakolli nga IKD-ja.
Në KQZ thonë se janë në pritje të vendimeve politike lidhur me këtë çështje. Njohësit e rrethanave politike thonë se zgjedhjet në veri janë zgjidhje për arritje të stabilitetit në këtë pjesë të vendit.
“Beogradi dhe serbët do të kenë presion që të hynë në zgjedhje, nuk do të ketë bojkot, ky është fundi i bojkotit dhe fillimi i zgjidhjes së problemit në mënyrë institucionale”, tha Bekim Baliqi, profesor universitar.
Ndërkaq, Albinot Maloku, politolog thotë se shkuarja në zgjedhje të reja është njëra prej opsioneve. “…me parakushtin që prapë të kemi respektim të kushtetues, në mënyrë që t’i tregohet faktorit ndërkombëtar se ne jemi të gatshëm për proces zgjedhor, e në qoftë se ata nuk marrin pjesë, vërtetë Kosova është pa faj në këto lojëra të dirigjuara nga Serbia”, tha Maloku.
Edhe kryeministri Kurti është pajtuar me ndërkombëtarët për shtensionimin e situatës në veri dhe ka thënë se duhet t’i jepet fund dhunës nga bandat e mbështetura nga Beogradi deri në zgjedhjet e reja.
Zgjedhjet në katër komunat veriore u mbajtën më 23 prill, ndërsa ato u bojkotuan gjerësisht nga banorët serb të asaj pjese të cilët ju binden urdhrave të Beogradit. Nga ky proces zgjedhor dolën katër kryetar komunash, të cilët po refuzohen nga serbët e veriut të Kosovës.