Një agjente e shërbimeve postare është arrestuar pasi akuzohet për mashtrim në shuma të konsiderueshme parash.
Alma Beqiri prej disa muajsh ishte nën hetim pasi dyshohet se ka vjedhur shuma monetare në lekë dhe valutë, duke mashtruar bizneset të cilat operonin online dhe dërgonin porositë e tyre tek klientët në Korçë.
Sipas të dhënave, mësohet se pasi qytetarët që kishin bërë porosi nga këto biznese merrnin pakot e tyre dhe kryenin pagesën, Beqiri nuk ua dorëzonte këto pagesa bizneseve duke i mashtruar.
Njoftimi i policisë
DVP Korçë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Postmail”.
Operacioni, i finalizuar pas hetimeve të thelluara 2-mujore nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e mashtrimit me pasoja të rënda.
Përfitonte shuma të konsiderueshme monetare, duke mos arkëtuar pagesat e klientëve që merrnin shërbimin postar, tek kompania private në të cilën ishte e punësuar agjente e shërbimeve postare private, vihet në pranga 46-vjeçarja.
Sekuestrohen 2 automjete që i kishte në përdorim kjo shtetase.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, pas hetimeve 2-mujore, finalizuan operacionin e koduar “Postmail”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetases:
-A. B., 46 vjeçe, banuese në Korçë.
Nga veprimet e thelluara hetimore rezulton se kjo shtetase, gjatë periudhës 2021-2023, në të cilën ushtronte funksionin e agjentes së shërbimeve postare private në Korçë dhe Pogradec, dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shumën 3 000 000 euro. 46-vjeçarja, me detyrë agjente e shërbimeve postare private, shpërndante pako të ndryshme postare, për llogari të subjekteve të treta dhe shumat monetare që i arkëtonte nga klientët, nuk i ka derdhur në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim.
Shumën e konsiderueshme të përfituar, kjo shtetase dyshohet se e ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emër të vet dhe të familjarëve të saj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, në përdorim nga 46-vjeçarja.
Vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë skemë mashtrimi.