KOSTT për kërkesën e Atiqit dhe Hetemit për rrymë: Po e trajtojmë me kujdes, do t’i kthejmë përgjigje brenda afateve ligjore

KOSTT për kërkesën e Atiqit dhe Hetemit për rrymë: Po e trajtojmë me kujdes, do t’i kthejmë përgjigje brenda afateve ligjore

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka thënë se kërkesën për të nisur pagesa e rregullt e energjisë elektrike në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe të Leposaviqit është duke e trajtuar me kujdes.

Në një përgjigje nga KOSTT-i kanë thënë se do të kthejnë përgjigje brenda afateve ligjore.

“KOSTT ka pranuar kërkesat e Kryetarëve të Komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit për pagesën e energjisë elektrike në objektet e komunave dhe të gjitha institucionet e sektorit publik të atyre komunave. KOSTT është duke trajtuar me kujdes këto kërkesa dhe në përputhje me mandatin e saj do të kthej përgjigje brenda afateve ligjore”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it për Front Online.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe ai i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kanë kërkuar nga këto institucione që t’i kyçin në sistem për të nisur pagesën e rrymës elektrike, në institucionet publike të komunës.

Për dallim nga Mitrovica e Veriut e Leposaviqi, dy komunat e tjera veriore nuk kanë bërë ende kërkesë për t’u kyçur në sistem.

Për 18 vjet me radhë, rrymën që kanë shpenzuar qytetarët në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, e kanë paguar qytetarët e pjesëve të tjera të vendit.

Related Articles