Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate në pompën e derivateve ‘Alfa Trade’ në fshatin Kçiq i Vogël në Mitrovicë.
Sinjali mëson se dy persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda pompës dhe nën kërcënimin e armës kanë arritur që t’ia marrin punëtorit të gjithë pazarin ditor, qindra euro para të gatshme.
Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar punëtori i kompanisë, i cili ka deklaruar se dy të dyshuarit menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar me shpejtësi për në drejtim të panjohur.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje ’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.