Për shtensionimin e situatës në veri të vendit u diskutua sot në Qendrën mediale në Graçanicë. Aty pjesëtarë serbë të shoqërisë civile folën për nevojën që katër komunat veriore të vendit të shkojnë në zgjedhje si formë për shtensionim të situatës dhe rikthim të serbëve në institucione.
Në këtë debat mes tjerash u theksua se problemet në veri janë pasojë e regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas tyre, përmes strukturave paralele nuk lejoi qytetarët serbë që të dalin në zgjedhje.
Përfaqësues të shoqërisë civile nga komunat veriore diskutuan të premten për situatën në veri pas tensioneve të fundit atje.
Disa nga aktivistët thanë se problemet në veri janë pasojë e regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili sipas tyre, përmes strukturave paralele nuk lejoi qytetarët serbë që të dalin në zgjedhje.
“Atje protestojnë strukturat e pushtetit që janë fajtorë për gjithçka dhe tani me çdo kusht kërkojnë të kthehen në ata kolltukë. Përveç tyre, janë strukturat që ata kanë krijuar, të cilët tani shumë ashpër janë të interesuar që të mos mbesin pa paga. Ndërsa, ka njerëz që kanë vuajtur dhe po protestojnë me sinqeritet, duke mos e kuptuar se manipulimi është shumë i madh dhe se pushteti po i vendos në pozitë që ta rrezikojnë edhe jetën e tyre”, thotë Nenad Radosavleviq nga Iniciativa Qytetare “Narodna Pravda” në Leposaviq, transmeton RTK.
Kurse Dejan Nedelkoviq, aktivist shoqëror dhe politik nga Zveçani, thotë se në vitin 2015, kur janë integruar nga sistemi serb në atë të Kosovës, ka propozuar që këto komuna të bëhen objekte ndihmëse, por Lista Serbe nuk ka qenë e interesuar për këtë, pasi kanë menduar se do të mbeten në pushtet gjithë jetën dhe të ulen në këto hapësira.
E në anën tjetër, Milia Bishevac, udhëheqës i Iniciativës Qytetare “Për Zubin Potokun”, tha se janë duke parë se po planifikohen zgjedhje të reja.
“Dhe kjo duhet të jetë një mësim që të përfshihemi dhe të shohim se pa serbët në institucione nuk kemi arritur asgjë”, u shpreh ai.
Për situatën në veri foli edhe Miodrag Miliqeviq, drejtor ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare, “Aktiv”, sipas të cilit, është e nevojshme që të tërhiqet policia speciale, jo policia e rregullt.
“Policia e rregullt është diçka krejt tjetër, Njësia Speciale është ajo që vërtetë viteve të fundit ka krijuar probleme shumë të mëdha”, tha ai.
Sipas tij, kjo është diçka që do të çojë në heqje të tërësishme të tensioneve që i kemi në veri të Kosovës.
Si përfundim, në këtë debat u theksua domosdoshmëria e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të Kosovës.