Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se plani franko-gjerman është dhurata më e madhe që i është bërë Kosovës. Ai ka thënë se ky dokument është më i miri që ka mundur të shkruhej.
Rama ka folur në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku ka bërë të ditur se i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti një format tjetër takimi, ndryshe nga mbledhja e dy qeverive e cila ishte planifikuar të mbahej nesër në Gjakovë.
“Nuk e kam çuar atë draft të Putini, por te dy njerëzit që i kanë bërë gati Kosovës gati dhuratën më të madhe të mundshme, ai plan që është në tavolinë, i ashtuquajturi plani franko gjerman është gjëja më e bukur e mundshëm që mund të shkruhej nga politikanët dhe juristët së bashku, është një masterpice of politics, kaq di të them. Dhe Kosova e ka në tavolinë, tani mua më ka mësuar edhe historia por edhe jeta që kur i bën shumë naze një marrëveshje që ta vënë në tavolinë fuqitë e mëdha, marrëveshja tjetër nuk është më aq e mirë”, ka thënë Rama.
Rama ka përmendur draftin e Asociacionit të cilin javën e kaluar e ka dërguar te presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Ne mund ti bëjmë elektoratit për një farë kohe magji sikur ne jemi Davidi që po lufton me Goliathin, nuk funksionon për një kohë të gjatë, për më tepër pastaj Goilathi anglo amerikano evropian që luftohet nga një David shqiptar mund ta intrigojë për një farë kohe një elektorat që ndjen edhe boshllëkun e sapo mbarimit të big brother por nuk është diçka që çon larg. Më e keqja është se e dëmton aq keq vendin sa që nuk e di, jam pa fjalë sot, shpresoj shumë që thonë që nata sjell kësjlla të mira, shpresoj shumë që diçka të ndryshoj, nuk jam optimist por shpresoj shumë në mënyrë që kemi mundësi t’i shfrytëzojmë këto orë për të dalë nga ky qorr sokak”, ka thënë ai.