Hajdari: Vendos KPM-ja, qeveria s’mbyll media

Hajdari: Vendos KPM-ja, qeveria s’mbyll media

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, nuk foli asnjë fjalë më shumë se atë çfarë, me gjasë, i ishte rekomanduar ta thotë nga fjalët e përgatitura më parë, të shkruara në letër, për pezullimin e certifikatës së Klan Kosova.

Bile, Hajdari nuk i përfilli as pyetjet e gazetarëve.

“Detyra e çdo zyrtari publik është të mbrojë Republikën e Kosovës duke filluar nga emri zyrtar i saj. Më vjen shumë keq që kjo ka ndodhur në këtë kompani që ushtron veprimtari të informimit publik, kjo e bën edhe më të rëndë”, tha Rozeta Hajdari.

E para e dikasterit të Industrisë zor që e dinte se cilën procedurë ligjore pretendohet se e ka shkelur televizioni.

“Dokumentacioni me adresë të rreme aq më keq me emërtim Pejë- Serbi apo Gjakovë-Serbi është veprim shumë i rëndë për ligjin e kushtetutën por është poshtu shumë e rëndë edhe përpara vendit tonë”, shtoi shkurt ajo.

Gjithsesi, largimin e fajit nga institucioni që ajo drejton e  bëri fort mirë.

“ARBK trajton vetëm rastin si biznes, çështjet e mediave trajtohen nga KPM, dhe as MINT e as Qeveria nuk hap e as nuk mbyll media”, deklaroi ministrja.

Këto deklarime Hajdari i bëri në Pejë ku mori pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve në shtegun “Via Dinarica”.

Related Articles