Agjencia amerikane e lajmeve, Politico, ka publikuar një artikull të gjatë rreth tensioneve në veri të Kosovës, dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe rreth raporteve që këto dy të fundit kanë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Megjithëse në këtë shkrim Kurti portretizohet si “miku kundërshtues” i Amerikës, Politico e cilëson Serbinë si mashtruese të rajonit.
Sipas Politico, pak do të argumentonin se Vuçiq, një lider me një histori të gjatë të antagonizimit të Perëndimit duke flirtuar me Rusinë dhe Kinën, është një engjëll.
“Disa perëndimorë e kanë kritikuar Uashingtonin për pozicionimin në anën e Vuçiqit, duke shtuar se protestat masive në Serbi kundër sundimit të tij gjithnjë e më autoritar po krijon paqartësi”, shkruan agjencia e lajmeve.
“Sidoqoftë, Serbia mbetet mashtruesja e rajonit dhe ShBA-ja dhe BE-ja duan të sigurojnë që ajo të mos zhvendoset më tej në sferën e ndikimit të Rusisë”, shkruan tutje.