I Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i Dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, kanë shprehur shqetësimet e tyre për situatën në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit.
Ishte emisari Escobar, ai i cili ngriti alarmin se kjo situatë mund të shndërrohet në një konflikt rajonal.
“Jam shumë i brengosur, ka mundësi që të shndërrohet në konflikt rajonal. Ata duhet të pranojnë marrëveshjen evropiane në këtë drejtim, ata kanë pranuar planin nuk ka opsion tjetër përveç de-eskalimit të situatës dhe kthimin në tryezën e bisedimeve. Më duhet të them se bashkësia ndërkombëtare është shumë e bashkuar në këtë drejtim”, tha Escobar në një paraqitjen me Ilva Taren.
E më pas të njëjtën deklaratë e mbështeti edhe emisari Lajçak, i cili tha se prioritet mbetet shtensionimi i situatës, de-eskalimi i dhunës dhe kthimi te procesi i normalizimit, përfshirë këtu mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa theksoi se nuk mund ta përballojnë të ketë viktima, nëse situata nuk shtensionohet.
“Nëse nuk arrijmë ta shtensionojmë, do të kemi viktima. Këtë s’mund ta përballojmë atë”, deklaroi Lajçak.
I pyetur për qëndrimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Lajçak tha se beson që ai nuk ka interes që të ketë më shumë dhunë në veri të Kosovës. Kjo pasi që sipas tij, pasi kryeministri kosovar është demokrat dhe beson në rend e ligj.
“Nuk mendoj se eskalimi dhe rreziku i dhunës së mëtejshme, apo edhe të ketë vrasje të njerëzve janë në interesin e Kurtit. Besoj që ai është një demokrat dhe beson në rend dhe ligj. Unë besoj në dialog, dhe në rrugën para për të cilën palët bien dakord”, ka thënë Lajçak.
Për “refuzimin” e mundshëm të Kurtit dhe Vuçiqit ndaj ftesës së Shefit të Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell, për takim në Bruksel, Lajçak tha se nuk është i shqetësuar për “retorikën” e tyre.
Ai theksoi se t’i thuash BE-së “jo” do të ishte veprim serioz, dhe me pasoja shumë negative, andaj ai beson se të dy liderët do të shkojnë në takim.