Profesori Arben Fetoshi ka thënë se një qeveri e unitetit kombëtar është e pamundur me VV dhe pa Kurtin, ndërsa mocioni ndaj qeverisë duket se nuk është opsioni i të gjitha partive opozitare.
Këtë e ka thënë ai duke komentuar propozimin e AAK-së që të formohet një qeveri e unitetit kombëtar, me VV-në por pa Kurtin.
Sipas tij, një qasje e tij nuk prodhon asgjë përpos mediatizimit.
“Të gjitha iniciativat e partive opozitare, në njërën anë shprehin shqetësimin e tyre për kursin që ka marrë aktualisht Kosova me qeverinë Kurti, dhe në anën tjetër, ndarjen e opozitës karshi pushtetit. Një qasje e tillë është e paefektshme dhe përveç mediatizimit të tyre, nuk mund të prodhojë përgjigje adekuate”, thotë profesori.
Por, ai nuk e sheh si zgjedhje as që të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme, e as mocionin thotë se nuk e kanë opsion i të gjitha partive opozitare.
“Megjithatë, nuk mendoj se zgjidhja është te zgjedhjet e jashtëzakonshme, sepse opozita, e tillë çfarë është aktualisht, nuk ka arritur të krijojë alternativë serioze. Prandaj, një qeveri e unitetit kombëtar është e pamundur me VV dhe pa Kurtin, ndërsa mocioni ndaj qeverisë duket se nuk është opsioni i të gjitha partive opozitare”, vlerëson Fetoshi për Gazeta Blic.
Sipas tij, në këtë situatë duhet të ketë reflektim nga qeveria për kërkesat e ndërkombëtarëve dhe të krijojë kushte për zgjedhje në katër komunat veriore, të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve dhe të vazhdojë me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Në këtë situatë, qeveria duhet të reflektojë karshi kërkesave ndërkombëtare, të krijohen kushte për zgjedhjet në katër komunat veriore, të sigurohet nga ana e ndërkombëtarëve pjesëmarrja e serbëve dhe t’i jepet shans kthimit në zbatim të Marrëveshjes së Ohrit. Çdo opsion tjetër mund të sjellë pasoja më të mëdha politike për Kosovën”, deklaron profesori Arben Fetoshi. /GazetaBlic