Personat e gjinisë mashkullore shpeshherë për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta shpërthejnë në ofendime, kërcënime e dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit. Por më të rralla janë rastet kur gratë përfshihen në përleshje fizike, e ku nevojitet ndërhyrja e Policisë për t’i zgjidhur telashet.
Një rast i tillë ka ndodhur sot në rrugën ‘Nënë Tereza’ në Gjakovë, ku një grua dyshohet se ka sulmuar fizikisht një tjetër, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Sheremet Elezaj, i cili bëri me dije se pas arrestimit, tek e dyshuara është gjetur dhe sekuestruar një elektroshok.
“Rreth orës 11:50 në rrugën “Nënë Tereza”-Gjakovë, e dyshuara femër e moshës madhore ka sulmuar viktimën, po ashtu femër e moshës madhore me ç’rast i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore. E dyshuara është arrestuar dhe në posedim i është gjetur dhe konfiskuar një elektroshok. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit e dyshuara është liruar dhe rasti kalon në procedurë të rregullt”, tha Elezaj.