Vajzat e mitura vazhdojnë të jenë viktima të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale. E të dyshuarit në shumë raste janë persona të cilët ndonëse janë në dijeni për moshën minorene të viktimave, krijojnë lidhje dashurie dhe intime me to. Për një rast të tillë që ka ndodhur në fshatin Krushev e Vogel të Klinës, Prokuroria ka nisur hetimet dhe ka rënë në pranga një person.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është Ardit Hajdari, 20-vjeçar.
Në kuadër të veprimeve hetimore, është marrë dëshmia e viktimës dhe të dyshuarit, të cilët kanë pohuar se kanë kryer marrëdhënie seksuale në një motel të fshatit me dëshirën e tyre dhe pa asnjë presion.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth dy muaj më parë, kur Hajdari kishte rënë në kontakt me të miturën E.L., 15-vjeçare përmes rrjeteve sociale. Ndonëse vajza është në moshë të mitur, ata kishin dalë disa herë në takime.
Babai i të miturës, gjatë ditës së djeshme ka njoftuar Policinë se vajza e tij është larguar nga shtëpia pa lajmëruar familjarët dhe e njëjta ka hipur në veturën e të dyshuarit.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 20-vjeçari të dërgohet në mbajtje dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.
Kujtojmë që sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personat që kryejnë marrëdhënie seksuale me persona që janë nën moshën 16-vjeçare, kryejnë vepër penale dhe mund të dënohem me burgim prej 5 deri në 20 vjet.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.