Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar pas lirimit të akovatit të njohur kosovar, Besnik Berisha, duke thënë se “kriminel mund të jetë pushteti, që porositi apo ndikoi në arrestimin e tij”.
Mustafa gjithashtu tha se nga lirimi i tij dolën të zhgënjyer ata që deshën të njollosin qeverinë që ai kishte drejtuar, me aludimet se u arrestua për krim ish këshilltari i tij.
“Çdo gjë pritet nga ata, të cilët pas perdes merren vesh me pasuesit e Millosheviqit për tu organizuar bashkërisht për të kundërshtuar e kërkesat e Veteranëve të UÇK-së. Por, duhet të gëzohemi se gjyqësia, të cilën shpesh po e kritikojmë, pas debatit maratonik për këtë rast, u tregua e drejtë dhe nuk u dorëzua para kërkesave absurde të karaxhozëve që deficitet e tyre profesionale i kompensojnë me aleanca me pushtetin; të cilët e harrojnë betimin e dhënë për zbatimin e Kushtetutës por bëhen hyzmeqarë të atyre që kanë dalë nga fakulteti pa bërë fakultet . Është inkurajues guximi i disa përfaqësueseve të mediave për shprehjen pa hezitim të mendimit të tyre për personalitetin e avokatit Berisha, dhe atë jo për të ndikuar në drejtësi por për të kërkuar drejtësi, siç është edhe ky opinion imi”, tha Mustafa.
“Kosova meriton shtet ligjor, avokatë të fortë e të guximshëm, prokurorë e gjyqtarë që zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën e nuk veprojnë me porosi. Vetëm kështu, ne si qytetarë mund të ndihemi të sigurt. Nuk na bëjnë të sigurte sondazhet e partive politike por zbatimi i Kushtetutës dhe ndërtimi i shtetit të mirëfilltë ligjor”, përfundoi ai.