Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Nga dhuna psikike e verbale gratë nuk ‘shpëtojnë’ as kur bashkëshortët e tyre jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit, larg familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi me një grua në Ferizaj, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi që ka pranuar mesazhe kërcënuese nga bashkëshorti i saj i cili nuk ndodhet në Kosovë.
Sinjali mëson se i dyshuari, i cili tashmë është shpallur në kërkim e ka kërcënuar gruan, me të cilën është e martuar që 17 vjet, duke i kërkuar asaj që ta lirojë shtëpinë bashkë me pesë fëmijët e tyre.
Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për Enver Bajramin, 54-vjeçar, i cili është futur në listën e personave të kërkuar, nën dyshimet për tri vepra penale.
Pas denoncimit të rastit, Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku janë gjetur dy armë dhe mbi 140 fishekë.
Rasti tashmë është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Ferizaj.
“Policët e rendit e më pas edhe policët hetues i kanë marrë veprimet e menjëhershme dhe nën autorizim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në prani të avokatit me detyrë zyrtare dhe dy dëshmitarëve, kanë realizuar një urdhër kontroll në shtëpinë e të dyshuarit E.B (M/K) i moshës 54 vjeçar, ku janë gjetur e më pas janë konfiskuar: një armë zjarri pushkë automatike me 139 fishekë dhe një tjetër armë zjarri (pistoletë) me 6 fishekë.
Me vendim të prokurorit rasti po hetohet edhe është cilësuar ” Dhunë në familje, kanosje dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa i dyshuari është në kërkim policor.”, ka njoftuar Policia.