Fabian Salvioli, raportues i Kombeve të Bashkuara (OKB) ka alarmuar për rrezikun e ndezjes së një konflikti të ri për shkak të diskursit në Kosovë e Serbi. Pas vizitave në të dyja vendet, Salvioli ka vlerësuar se ka mungesë bashkëpunimi mes dy vendeve në shkëmbimin e informacioneve për personat e zhdukur nga lufta e fundit.
Gjetjet janë për periudhën prej 22 nëntorit deri më 2 dhjetor 2022, kur raportuesi i OKB-së ka vizituar Kosovën dhe Serbinë.
“Raportuesi special është i alarmuar me përdorimin e vazhdueshëm në Kosovë dhe Serbi të narracioneve etnocentrike, nacionaliste, të njëanshme ose jo të plota për konfliktin, në politikë, media, kulturë dhe arsim. Manipulimi i ngjarjeve të së kaluarës dhe përforcimi i njëkohshëm i ndjenjave nacionaliste dhe etnike për arsye politike, edhe nëse duket se siguron përfitim politik jetëshkurtër për mbështetësit dhe autorët e tij, nuk është vetëm i paligjshëm dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, por edhe i afatshkurtër”, shkruan në raport. “Këto pamje, të pahijshme dhe mbi të gjitha aktet e papërgjegjësisë publike mund të çojnë në përsëritjen e dhunës nga e kaluara”.
Në dokumentin që është hartuar për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është kërkuar prej autoriteteve në Serbi dhe Kosovë që menjëherë të ndalojnë nxitjen e ndjenjave nacionaliste dhe përçarëse, nëpërmjet veprimeve të tyre.
Glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i mizorive të luftës, po ashtu është evidentuar si praktikë që po vazhdon, në të dyja vendet.
“Raportuesi special mori raporte për deklarata shqetësuese lidhur me konfliktin e shtyrë nga zyrtarë publikë dhe politikanë, duke përfshirë mohimin e krimeve të luftës dhe për kritikat ndaj zyrtarëve që ishin përpjekur t’i nderonin viktimat e grupeve të tjera etnike. Ai mori gjithashtu raporte shqetësuese për kriminelë të dënuar të luftës që mbanin poste publike, duke përfshirë edhe pozita të larta”, thuhet në dokument.
Autoriteteve të Kosovës u përshkruhet mungesë vullneti për t’i ndjekur dhe sanksionuar penalisht rastet e krimeve të luftës, ku dyshohet të jenë përfshirë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ngurrimi i dëshmitarëve për të ofruar dëshmi për shkak të frikës nga hakmarrja, në thelb pengon përparimin dhe thekson nevojën për një program efektiv dhe funksional për mbrojtjen e dëshmitarëve, i cili aktualisht mungon në Kosovë. Autoritetet raportuan një rritje të ndarjes buxhetore për vitin 2021 për të përmirësuar kapacitetin institucional për ndjekjen penale të krimeve të luftës (me parashikimin për katër prokurorë shtesë, gjashtë ndihmës dhe dy përkthyes). Megjithatë, Departamenti i Krimeve të Luftës thuhet se ende operon me kapacitete paraekzistuese”, potencon raporti, përcjell Insajderi.
Pavarësisht kërkesës së tij, raportuesi special e ka evidentuar se nuk ka mundur të takohet me prokurorin e Krimeve të Luftës.
Sa u përket Dhomave të Specializuara në Hagë, në të cilat po gjykohen ish-udhëheqës të UÇK-së, raportuesi special ka vënë në dukje kornizën e vendosur për trajtimin e krimeve, “megjithatë, ai është i shqetësuar për shkallën e ulët të ndjekjes penale dhe bashkëpunimin e stagnuar gjyqësor”.
Mungesa e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mbetet pengesa kryesore në sqarimin e rasteve nga lufta e fundit, është brenga që është shprehur në raport.
Në të përmenden edhe informacionet që i ka vënë në dispozicion Qeveria e Kosovës për ndërtimin e memorialit për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë për periudhën 1998 dhe 1999, dhe atë për komisionin për dokumentimin e dëmeve të shkaktuara në trashëgiminë kulturore.