Universiteti i Prishtinës ka hapur dyert për studentë të rinj, ku vetëm në afatin e parë për nivelin bachelor kanë aplikuar 6 mijë e 104 kandidatë.
Nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, kanë bërë të ditur për Telegrafin, se konkurrenca më e lartë ka qenë në programet Mjekësi e Përgjithshme, program Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike, pastaj programet tjera si Juridik e Stomatologji.
“Ndër programet më të kërkuara dhe me konkurrencë më të lartë janë: programi Mjekësi e Përgjithshme, programi Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike, programi Juridik, programi Stomatologji, programi Psikologji, programi Infermieri, programi Arkitekturë, programi Gjuhë dhe Letërsi Angleze, programi Gjuhë dhe Letërsi Gjermane dhe programi Menaxhment”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.
Për përzgjedhjen e drejtimeve të studimit për Telegrafin ka folur edhe eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci.
Ai ka thënë se të rinjtë po zgjedhin të studjojnë nga fusha e teknologjisë për shkak të mundësive më të mira për punësim, brenda dhe jashtë Kosovës.
“Programet e studimeve nga fusha e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit po bëhen gjithnjë e më tërheqëse për shkak të mundësive të punësimit brenda dhe jashtë vendit, përfshirë edhe punën nga distanca, si dhe për shkak të pagave të mira. Megjithatë, ky sektor karakterizohet me një dinamikë të veçantë të zhvillimit, prandaj institucionet që ofrojnë programe nga kjo fushë e kanë për detyrë t’i përgatisin studentët që në vazhdimësi t’i përditësojnë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre”, theksoi ai.
Kurse, sa i përket programeve nga fusha e mjekësisë, Pupovci thotë se zakonisht aty shkojnë për studime ata që kanë një përgatitje solide paraprake.
Gjithashtu, ai tha se një numër i konsiderueshëm i profesionistëve të këtyre profileve zgjedhin për të punuar jashtë vendit.
“Programet nga fusha e mjekësisë dhe stomatologjisë janë tradicionalisht tërheqëse dhe aty shkojnë të rinjtë që kanë një përgatitje solide paraprake, sidomos nga fusha e shkencave të natyrës. Besoj se me rritjen e moshës demografike të popullsisë në Kosovë do të ketë nevojë për gjithnjë e më shumë punonjës shëndetësorë, por është fakt se një numër i konisderueshëm i profesionistëve të këtyre profileve zgjedh për të punuar në vendet e BE, ku, pikërisht për shkak të plakjes demografike të popullsisë, ekziston një nevojë e shtuar për ta”, tha ndër tjera ai.
Pupovci shtoi tutje se “kuotat për regjistrim në studimet nga fusha e drejtësisë tejkalojnë nevojat e vendit, duke pasë parasysh faktin se kemi 5 programe të studimeve themelore (baçelor) në sektorin publik dhe 7 të tjera në sektorin privat”.
“Përkundër vështirësive në punësim, një numër i konsiderueshëm i të rinjve përcaktohen për regjistrim në këto programe dhe kjo dukuri është vështirë të shpjegohet, sepse mundësitë për punësim në profesion brenda vendit janë të kufizuara, ndërsa juristët, për shumë arsye, e kanë të vështirë të punësohen në profesion jashtë vendit. Unë kam përshtypjen se një shumicë e madhe orientohen në këto studime, sepse mendojnë se mund të kryhen më lehtë, përndryshe në botën perëndimore profesioni i juristit konsiderohet elitar, si edhe profesioni i mjekut, arkitektit, e ndonjë tjetër”, deklaroi ai.
Eksperti i arsimit potencoi se në përgjithësi, të rinjtë, me rastin e marrjes së vendimit për regjistrim në studime duhet të gjejnë një balans në mes të afiniteteve të veta dhe mundësive për punësim pas diplomimit.
“Nuk mund të kërkohet nga një talent i muzikës ose i arteve të bukura të studiojë shkencë kompjuterike, vetëm sepse gjen punë më lehtë. Ndërkaq, një i ri që ka afinitet për shkenca të natyrës duhet të mendojë nëse dëshiron t’i regjistrojë studimet në kimi, biologji, fizikë, të cilat e orientojnë kah profesioni i mësimdhënësit, apo studimet në fushën e bujqësisë, ku mundësitë e punësimit dhe të inkuadrimit në biznes janë më të mira. Besoj se familja luan rol të rëndësishëm me rastin e këtyre përcaktimeve, por do të ishte mirë që edhe shkollat e mesme të kenë shërbime të këshillimit në karrierë që t’u ndihmojnë nxënësve për t’u orientuar me kohë dhe në pajtim me afinitetet e tyre”.