Drejtori i të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, nuk i ka pritur mirë deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, për deklaratat e tij se Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik, dhe se kufijtë e Kosovës njihen botërisht se ku janë.
”Ne e dimë mirë @USAmbKosovoku janë kufijtë në Kosovë, ata janë kufijtë e Serbisë në përputhje me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Dhe Lista Serbe është zgjedhja dhe zëri i popullit serb që mbron interesat kombëtare të popullit të tij në Kosovë, jo të ambasadave të huaja”, ka shkruar Petkoviq në formën dëshirore, duke mohuar realitetin e Kosovës së pavarur.
Hovenier të martën ka deklaruar se nuk duhet të vihet në pyetje se Kosova është shtet sovran dhe se Lista Serbe është parti politike opozitare në Kosovë.
Mes tjerash, Hovenier u shpreh se “ne e dimë saktësisht ku është kufiri”, teksa shtoi se ShBA-të e njohin Kosovën si shtet sovran, të pavarur dhe demokratik.