Kica Xhelili e LDK sqaron pse udhëzimi administrativ për zgjedhjet në veri mund të jetë jokushtetues

Kica Xhelili e LDK sqaron pse udhëzimi administrativ për zgjedhjet në veri mund të jetë jokushtetues

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, në një sqarim të gjatë në Facebook, ka parashtruar disa pika, në të cilat sqaron udhëzimin administrativ për zgjedhjet në veri dhe se përse i njëjti mund të jetë jokushtetues.

Sipas saj, ky udhëtim mund të jetë jokushtetues pasi, “nuk ekziston asnjë autorizim i tillë për Qeverinë apo KQZ në asnjë ligj që rregullon zgjedhjet, dhe Qeveria (ekzekutivi) nuk mund ta normojë materien zgjedhore sepse këtë e bën Kuvendi përmes Kushtetutës dhe/ose ligjeve, dhe as të përcaktojë pyetjet e nismës që lidhet drejtpërdrejt me shprehjen e vullnetit të popullit”.

“Sidoqoftë, paradigma e domosdoshmërisë së peticionit kinse në emër të mbrojtjes së sundimit të ligjit e jo dorëheqjeve, teksa synohet një udhëzim administrative që pikërisht rrezikon sundimin e ligjit përmes shkeljeve kushtetuese, është jo vetëm standard i dyfishtë e jodemokratik, por me potencial të rrezikshëm për vendin dhe si i tillë nuk duhet të lejohet” ka thënë mes të tjerash Kica-Xhelili.

Ky është reagimi i plotë i saj:

POLEMIKAT E PETICIONIT PËR ZGJEDHJET NË VERI

Këto ditë Qeveria e Republikës së Kosovës ka nisur idenë e një udhëzimi administrativ e cila mendohet që do të përcaktojë formën e mbajtjes së peticionit për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të vendit.

Çështja e largimit të kryetarëve të komunave është shumë e qartë, pra:

1.       Japin dorëheqje me ç’rast hapet menjëherë mundësia e vazhdimit me zgjedhje të reja (që ishte rekomandim i LDK qe tanimë disa muaj); ose

2.       Përmes Nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, që përcakton mundësinë e iniciativës qytetare për largimin e kryetarëve aktual. Kjo dispozitë, parasheh që kërkesa të nënshkruhet nga 20% e votuesve të regjistruar. Nëse kërkesa e tillë paraqitet, shkohet me zgjedhje ku votohet Për apo Kundër largimit të kryetarit aktual. Nëse shumica (pra së paku 50%+1) e votuesve votojnë Për largim, atëherë shkohet në zgjedhje të reja.

Rrjedhimisht, në mungesë të dorëheqjeve, mundësia e vetme mbetet nisma/peticioni sipas Nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.

Sidoqoftë, kur flasim për Nenin 72, që mbetet Neni i vetëm i aplikueshëm në këtë kuptim (në mungesë të çfarëdo ligji tjetër për këto çështje), mundësitë janë plotësisht të kufizuara.

Neni 72, nuk jep autorizime shtesë për KQZ, e aq më pak për Qeverinë e Republikës së Kosovës, që të zgjeroj kompetencat e saj në përcaktimin e çfarëdo forme tjetër apo edhe në sqarimin e detajeve specifike me rastin e aplikimit të Nenit 72. Kjo, për arsye se i gjithë procesi i nismës së tillë ka të bëj me të drejtën dhe formën e votimit, dhe do të rrezikonte ndërhyrje në votën e lirë.

Prandaj, pyetja eventuale apo forma e parashtrimit të pyetjes së nismës (apo raste tjera referendumit) nuk guxon të jetë kurrsesi çështje që rregullohet me udhëzim administrativ. Ekzekutivi nuk ka dhe nuk guxon të ketë asnjë autorizim për implementimin e dispozitave zgjedhore të ligjeve pozitive (të aplikueshme) sepse ato janë përcaktues të votës së lirë. Për më tepër, nuk mund të bëhen as rregullime që mund prodhojnë efekte retroaktive që prekin mandatet ekzistuese.

Njëkohësisht, asnjë udhëzim administrativ nuk mund të përcaktoj pyetjen e peticionit sepse Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale është plotësisht i qartë në atë që përcakton se qytetarët duhet të deklarohen PËR (e rrjedhimisht si alternativë KUNDËR) largimit të kryetarit. Këtu nuk ka asnjë hapësirë për diskutime lidhur me pyetjen. Çdo diskutim i tillë tejkalon autorizimet që rrjedhin nga Neni 72 dhe janë të palejueshme, sepse rregulli bazik i çdo udhëzimi administrativ është mos-tejkalimi i ligjit (me që udhëzimi është akt NËNligjor).

Prandaj, në rastin konkret, një udhëzim sikurse po flitet do të ishte jokushtetues dhe joligjor për dy arsye:

E para, sepse nuk ekziston asnjë autorizim i tillë për Qeverinë apo KQZ në asnjë ligj që rregullon zgjedhjet; dhe

E dyta, Qeveria (ekzekutivi) nuk mund ta normoj materien zgjedhore sepse këtë e bën Kuvendi përmes Kushtetutës dhe/ose ligjeve, dhe as të përcaktoj pyetjet e nismës që lidhet drejtpërdrejt me shprehjen e vullnetit të popullit.

Të jemi të qartë, pra, që në parim, çdo deklarim plebishitar mbi një çështje nënkupton formë të referendumit, por në rastin konkret, mundësia e heqjes së kryetarëve është paraparë me peticion qytetarë.

Në secilin rast, nëse Qeveria apo KQZ dalin me një udhëzim të tillë, gjasat janë shumë të mëdha që ai do të jetë jokushtetues.

Për fund – fakti që në njërën anë institucionet e Republikës së Kosovës po shprehen të gatshme për zgjedhje të reja, por në anën tjetër Qeveria nuk shpreh gatishmëri për diskutime me kryetarët e komunave që vijnë nga LVV që të sqarojnë efektin politik të domosdoshëm që vjen me dorëheqje, tregon që këtu po kërkohen një status quo/blerje kohe. Se pse duan të blejnë kohë, këtë mund ta sqarojnë vetëm akterët e përfshirë.

Sidoqoftë, paradigma e domosdoshmërisë së peticionit kinse në emër të mbrojtjes së sundimit të ligjit e jo dorëheqjeve, teksa synohet një udhëzim administrative që pikërisht rrezikon sundimin e ligjit përmes shkeljeve kushtetuese, është jo vetëm standard i dyfisht e jodemokratik, por me potencial të rrezikshëm për vendin dhe si i tillë nuk duhet të lejohet.

Related Articles