BE e gatshme të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve në veri

BE e gatshme të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve në veri

Bashkimi Evropian ka treguar gatishmëri që të ofrojë mbështetje ligjore dhe teknike për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, kështu ka thënë zëdhënësja në Komisionin Evropian, Zoi Muletier.

Zëdhënësja ka thënë se “BE-ja vë në dukje vendimin e Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal për të krijuar një grup pune për peticionet lokale për tërheqje të kryetarëve”.

“BE-ja pret të marrë më shumë informacion nga autoritetet për hapat e mëtejshëm konkretë që do të çonin në mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Në deklaratën e saj të 3 qershorit, BE-ja kishte kërkuar që zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës të mbahen pa vonesë”, ka thënë ajo, për RTV21.

“BE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje ligjore dhe teknike për çdo proces që do të çonte në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme lokale përmes peticioneve për tërheqje në veri të Kosovës”, ka thënë Muletier.

Ky qëndrim i BE-së erdhi pasi Qeveria ka nisur procedurat ligjore për largimin e kryetarëve të zgjedhur në veri të vendit duke i hapë rrugë shpalljes së zgjedhjeve të reja në 4 komunat veriore.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka caktuar grupin punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri, Elbert Krasniqi, ky grup duhet ta finalizojë projekt udhëzimin administrativ deri me 1 shtator 2023.

Në dokument thuhet gjithashtu se grupi punues do të mbështetët nga zyra e BE-së, përfaqësues nga ambasadat dhe OSBE-ja. Kjo lëvizje vjen si një tjetër hap në zbatimin e marrëveshjes së arritur mes qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve në veri dhe kthimin në procesin e dialogut me Serbinë.

Related Articles