Ftesa për t’u afruar në tavolinë dhe sulmi me një shishe birre e nisi konfliktin që çoi deri në vrasje në lokalin “Bon Vivant” të Prishtinës.
Gazeta Insajderi mëson nga burime të mirëinformuara se Hysi Geci (pjesëtar i FSK’së) mbrëmë ishte nën shoqërinë e Dukagjin Nikollajt i njohur me nofkën “Duka”. Së bashku me ta ishte edhe Kastriot Ramadani i cili më vonë do të vritej.
Të njëjtit e kishin ftuar Andi Pajazitin i njohur me nofkën “Italiani” në tavolinën e tyre. Për shkak të një konflikti të mëhershëm ata e sulmuan “Italianin” me një shishe të birrës. Pas kësaj grupet nxorën armët dhe gjuajtën në drejtim të njëri-tjetrit.
Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur katër persona. 39 vjeçari Kastriot Ramadani nuk iu shpëtoi plagëve të marra dhe humbi jetën në QKUK.
Të lënduar nga përleshja mbetën 17 persona. Tre djem dhe 14 vajza.
Hysi Geci, Gëzim Zakuti dhe Andi Pajaziti ndodhën në ndalim policor ndërkohë janë duke u trajtuar në QKUK.
Ndërsa Dukagjin Nikollaj ka arritur të ikë nga policia dhe aktualisht ndodhet në arrati