Një incident ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në restorantin ‘Live Pandora’ në fshatin Xërxe të Rahovecit, ku tre persona dyshohet se janë përleshur mes vete.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë kanë bërë me dije se ata u dërguan në atje me lëndime që dyshohet se u janë shkaktuar nga goditjet me thikë.
Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja e tyre shëndetësore është stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili tha për Sinjalin se tashmë janë identifikuar dhe arrestuar pesë persona të dyshuar.
“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me ç’rast janë identifikuar dhe arrestuar pesë të dyshuar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit me vendimin e të cilit të dyshuarit janë ndalur në mbajtje”, tha Elezaj.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’.