Osmani për arrestimet e sotme: Të presim epilogun, e kemi të pamundur të paragjykohet

Osmani për arrestimet e sotme: Të presim epilogun, e kemi të pamundur të paragjykohet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur rreth aksionit të sotëm të Prokurorisë Speciale dhe Policisë, ku janë arrestuar zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, si dhe biznesmeni, Ridvan Muharremi, i cili dyshohet se është i përfshirë në keqpërdorimet me rezerva shtetërore.

Osmani e cila sot po qëndron për vizitë në komunën e Klinës, tha para gazetarëve se bazuar në informatat që kanë, duhet pritur epilogun e këtij rasti dhe nuk duhet paragjykuar.

“Komenti im është që për çdo proces të institucioneve të drejtësisë dhe ligjzbatuese ne duhet ta presim epilogun dhe deri në këtë moment bazuar në informatat që kemi është e pamundur të paragjykohet epilogu i këtij rasti”, tha ajo.

Muharremi dhe dy zyrtarët e MINT-it, Lipovica dhe Gara, u arrestuan nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.

Ndërkaq, gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Related Articles