Një rast dhune ka ndodhur dje në mëngjes në fshatin Carrallukë të Malishevës, ku një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë pas veprimeve të dhunshme nga djali i saj.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 45-vjeçarja e kishte zgjuar të birin nga gjumi për shkak se kishte nevojë për ndihmën e tij rreth punëve të shtëpisë. Por bazuar në dëshminë e saj, i mituri ka reaguar në mënyrë agresive, duke demoluar orenditë shtëpiake.
Sipas saj, i biri edhe më parë ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, mirëpo nuk e ka denoncuar asnjëherë.
Si rezultat i denoncimit, 17-vjeçari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin, njofton Sinjali.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.