Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, më 29 dhjetor 2022, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Rozeta Hajdarit, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), duke e dënuar me 700 euro gjobë, lidhur me akuzën për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor
“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar aktgjykimin në fjalë, i cili më 20 shkurt 2023 ka marrë vulën e plotëfuqishmërisë.
Po ashtu, “Betimi për Drejtësi”, ka siguruar edhe fletëpagesën, me të cilën Hajdari ka paguar dënimin prej 700 euro.
Në seancën fillestare të mbajtur më 28 dhjetor 2022, Hajdari kishte pranuar fajësinë lidhur me akuzën për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor.
Në arsyetimin e vendimit të Themelores, thuhet se pas pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarës Hajdari dhe marrjes së mendimit nga prokurori i shtetit dhe mbrojtësi i saj, gjykata ka vlerësuar se pranimi i fajësisë është bërë në bazë të nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale, duke gjetur se pranimi i fajsisë është në përputhje me provat që gjenden në shkresat e lëndës.
“Po ashtu, pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare dhe pa imponim, duke qenë e njoftuar me benefitet dhe pasojat e pranimit të fajësisë, po ashtu gjykata ka vlerësuar se aktakuza nuk përmban shkelje ligjore apo gabime faktike dhe me aktvendim ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës”, thuhet tutje në arsyetimin e gjykatës.
Nga kjo, gjykata ka vendosur që Hajdarin ta shpallë fajtore për veprën penale që i vihej në barrë, pasi që sipas gjykatës, e njëjta është penalisht përgjegjëse dhe se nuk ekzistojnë rrethana të cilat e përjashtojnë përgjegjësinë penale të saj dhe se në veprimet e të njëjtës janë manifestuar të gjitha elementet subjektive dhe objektive të veprës penale.
Tutje, në vendim thuhet se me rastin e matjes së llojit dhe lartësisë së dënimit, gjykata në kuptim të nenit 60 dhe 70 të KPRK-së, ka vlerësuar të gjitha rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese të cilat kanë ndikuar në caktimin, llojin dhe lartësinë e dënimit.
“Gjykata si rrethanë lehtësuese ka gjetur se e pandehura e ka pranuar fajësinë në fazë të hershme të procedurës dhe keqardhjen e sinqertë. Ndërsa, rrethanë rënduese gjykata nuk ka gjetur”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Gjithashtu, në këtë aktgjykim thuhet se Themelorja ka vlerësuar se dënimi i shqiptuar është në proporcion me peshën e veprës penale, rrezikshmërisë shoqërore dhe karakteristikat personale të të pandehurës dhe se edhe me dënimin e shqiptuar mjaftueshëm do të ndikojë në vetëdijesimin e të pandehurës në drejtim të respektimit të ligjit.
“Po ashtu ky dënim do të ndikoj edhe në aspektin e preventivës gjenerale që t’i ndaloj të tjerët në kryerjen e veprave penale dhe mjaftueshëm do të shpreh gjykimin shoqëror për veprën penale të kryer, kështu duke ngritur vetëdijen në respektimin e ligjit për çka është edhe qëllimi i dënimit sipas nenit 38 të KPRK-së”, thuhet tutje në arsyetimin e këtij aktgjykimi.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 13 tetor 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Rozeta Hajdari akuzohej për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor.
Aktakuza thotë se e pandehura Hajdari në cilësinë e zyrtares së lartë publike, si ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për detyrimin e saj ligjor, nuk e ka respektuar nenin 6, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 lidhur me nenin 7 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publikë.
Tutje, akti akuzues thotë se edhe pas njoftimit me kohë nga zyrtarja përgjegjëse e ministrisë përkatëse për detyrimin e deklarimit të pasurisë së saj me rastin e marrjes së detyrës si ministre, e zgjedhur sipas vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës të 3 shkurtit 2020, e po ashtu edhe përkundër shtyrjes së afatit nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 deri më 19 qershor 2020, e njëjta deklarimin e pasurisë nuk e ka bërë as brenda këtij afati shtesë ligjor.
Me këtë, Hajdari akuzohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi