Gjykata nuk ia ka caktuar masën prej 30 ditë paraburgim Abdullah Mjekut, i cili dyshohet se e ka kërcënuar avokatin Besnik Berisha.
Kështu deklaroi avokati mbrojtës i Abdullah Mjekut, Rexhep Podvorica, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
Sipas tij, klienti i tij Abdullah Mjeku është i lirë, sepse Gjykata ka caktuar masën e dorëzanisë dhe jo të paraburgimit.
“Gjykata nuk ka caktuar paraburgimin për palën Abdullah Mjeku dhe ka refuzuar një propozim të tillë të Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit dhe siç shihet nga vendimi, Gjykata ka caktuar masën e dorëzanisë dhe siç shihet nga fotografia e shkrepur sot me mua dhe e publikuar tani, z.Abdullah Mjeku është i lirë”- ka shkruar avokati Podvorica.
Ai ka mohuar raportimet e mediave të cilat kishin shkruajtur se Mjekut i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.
“E kam publikuar edhe aktvendimin, klientit tim nuk i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve”- ka thënë ai për KALLXO.com.
Ai në profilin e tij në Facebook e ka publikuar edhe vendimin e Gjykatës së Prishtinës.
Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës thuhet se “refuzohet kërkesa e Prokurorisë Themelore të Prishtinës… për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Abdullah Mjeku”.
Tekst i mësipërm është edituar pasi është vlerësuar nga Internews Kosova si artikull i pasaktë!