Për shkak të mosmarrëveshjeve e konflikteve verbale, qytetarët shpesh herë përfshihen edhe në përleshje fizike. E gjatë përleshjeve, pos grushteve përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet. Një rast i tillë kishte ndodhur më shumë se dy javë më parë në Podujevë, por që i dyshuari ishte arratisur.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 36-vjeçari që ishte në kërkim policor, dyshohet se ka sulmuar fizikisht një person, duke e goditur me kondak të armës.
Viktima kishte marrë lëndime trupore dhe kishte kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që kishte denoncuar rastin në Polici.
Njësitë policore kishin marrë veprimet hetimore që të lokalizojnë vendndodhjen e të dyshuarit, mirëpo i njëjti nuk ishte hasur.
Sinjali mëson se gjatë ditës së djeshme, i dyshuari është dorëzuar në stacion policor, ku gjatë intervistimit ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në ndalim policor dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.