Shea: BE-ja dhe SHBA-ja t’i vlerësojnë përpjekjet e Kosovës për de-eskalimin e situatës

Shea: BE-ja dhe SHBA-ja t’i vlerësojnë përpjekjet e Kosovës për de-eskalimin e situatës

Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa hapa për de-eskalimin e situatës në pjesën veriore të vendit.

Megjithatë në Bruksel akoma nuk janë bindur që t’ia heqin masat ndëshkuese, që i janë vënë Kosovës, duke e parë Qeverinë e kryeministrit Kurti si fajtore për tensionet e muajve të fundit në veri.

Ish-zëdhënësi i NATO-s Jamie Shea, thotë se Brukseli dhe Uashingtoni duhet t’i vlerësojnë tash përpjekjet që po i bën Qeveria e Kosovës për shtensionimin e situatës në veri dhe së shpejti t’i heqin masat ndëshkuese.

“Janë për t’u përshëndetur përpjekjet e qeverisë së Kosovës për ta de-eskaluar situatën në pjesën veriore të vendit dhe për ti integruar sërish serbët në shërbimet publike. Periudhën e fundit situata në pjesën veriore ka qenë e qetë dhe tani shpresoj që kjo do të vlerësohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Konsideroj që tani komuniteti ndërkombëtar duhet t’i bëjë presion Serbisë, në rast serbët etnik pengohen nga Beogradi që të shërbejnë në institucionet e Kosovës”, deklaroi Shea për Tëvë1.

Eksperti i çështjeve të sigurisë thotë se Kosovës po i bëhet më shume presion për shkak se ajo është më e varur nga Perëndimi.

Sipas tij do të ishte me produktive nëse presion i bëhet palës më të fortë siç është në këtë rast Serbia.

“Le të jemi të sinqertë është e vërtetë se Kosovës po i bëhet më shume presion sesa Serbisë. Kjo po ndodh për arsyen se Kosova është më e varur nga Perëndimi në aspektin e sigurisë dhe ekonomisë, prandaj këta të fundit e kanë më të lehtë që të ushtrojnë presion mbi palën më të dobët. Megjithatë sipas meje kjo nuk është një qasje korrekte që ti bësh presion gjithnjë palës më të dobët, do të duhej të ishte e kundërta, pra presion duhet te kishte mbi palën më të fortë. Rruga e Serbisë për në Bashkimin Evropian duhet të kushtëzohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, shtoi ish-zëdhënësi i NATO-s.

Shea ka folur edhe për mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Ukraina.

“Ka paralele të ngjashme mes Kosovës dhe Ukrainës. Populli i Ukrainës tani po vuan ashtu siç kanë vuajtur kosovarët në të kaluarën. Prandaj sot ukrainasit kanë krijuar një simpati për Kosovën, dhe kjo mund të ndikoj pozitivisht që pozicioni i Ukrainës ndaj Kosovës të ndryshojë. Do ishte një lajm i jashtëzakonshëm nëse Ukraina e njeh pavarësinë e Kosovës”, tha ai më tej.

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar edhe njëherë që marrëveshja e Ohrit e arritur mes Kosovës dhe Serbisë të zbatohet në tërësi.

Related Articles