Trajneri Gentjan Mezani nuk ishte pajtuar me humbjen e titullit të kampionit në edicionin 2019/2020 në Kosovë. Pati thënë se Gjilani meritoi të shpallej kampion i Kosovës. Edhe sot Mezani e ndan të njëjtin mendim se Gjilani meritoi para rivalit të qytetit, Dritës, të shpallej kampion. Drita doli kampione falë goldallimit më të mirë në ndeshjet e ndërsjella, e fitoi titullin. Të dyja skuadrat e mbyllën edicionin me pikë të barabarta – 68. Po ashtu, edhe goldallimin e përgjithshëm e patën të njëjtë; +34.
“Objektiv kishim Evropën, por në momentin që ishim aty lart besoj që e meritonim”, thotë trajneri Mezani për KOHËN të martën.
Mezani është rikthyer te Gjilani pas tre vjetësh. Ai për herë të parë drejtimin e Gjilanit e mori në mars të vitit 2019, ndërsa në vitin 2020 dha dorëheqjen. Ai thotë se në edicionin aktual, synimet nuk janë të mëdha. Por nuk përjashton mundësinë që gjatë rrugës ato të ndryshojnë.
“Këtë herë kemi tjetër objektiv, por në të ardhmen dhe gjatë rrugëtimit të këtij kampionati, objektivat mund të ndryshojnë”, ka theksuar ai.
Në vitet e fundit Gjilani ishte një prej klubeve më të organizuara dhe më të qëndrueshme financiarisht në Kosovë. Luftoi për trofe. Por në edicionin aktual të Superligës së Kosovës në futboll, Gjilani mezi u bë gati ta luajë ndeshjen e parë. Lojtarët e rinj do t’i drejtojë trajneri Mezani. Trajneri nga Vlora me lojtarët e tij ia fitoi një pikë Prishtinës, në kuadër të xhiros së dytë të elitës së futbollit të Kosovës, të hënën.
“Futbolli i Kosovës më ka munguar shumë, sepse ka qenë një eksperiencë e bukur, por edhe e lodhshme, sepse kishim objektiv Evropën, por ishte shumë e bukur. Këtë vit është një projekt ndryshe, sepse skuadra filloi disi me vonesë dhe pa diskutim të lë pak zgjedhje objektivash. Por gjatë rrugëtimit të këtij edicioni, objektivat mund të ndryshojnë”, është shprehur Mezani.
Trajneri 43-vjeçar pas Gjilanit mori drejtimin e Laçit. Më herët ka punuar edhe te Luftëtari dhe Flamurtari në Shqipëri. Mezani synon ta kthejë në rrugën e synimeve të mëdha skuadrën e Gjilanit. Ai te Gjilani ka zëvendësuar Klodian Duron që ishte në krye të ekipit vetëm për dy ndeshje.
“Objektivi është ndërtimi i një skuadre konkurruese dhe në të ardhmen një skuadër që lufton për pjesën e sipërme të tabelës. Futbolli në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri ka pasur një rritje goxha të mirë dhe kjo duket nga rezultatet në garat e Evropës”, thotë Mezani.
Gjilani për shkak të dështimit në organizim dhe problemeve financiare nuk e zhvilloi ndeshjen e parë ndaj Fushë-Kosovës. Kjo ndeshje është shtyrë për një termin tjetër.
Por ndaj Prishtinës në fundjavë, futbollistët e rinj treguan paraqitje të mirë. Paraqitja ndaj Prishtinës, Mezanit i jep shpresë se përballjet ndaj ekipit të tij nuk do të jenë të lehta.
“Ne do të bëjmë kampionatin tonë dhe besoj që nuk do të jetë e lehtë përballja me ne. Për momentin jam i fokusuar të arrij objektivin me Gjilanin. Ajo është diçka që për çdo trajner është dhe do të mbetet objektivi kryesor, por siç e theksova për momentin jam i fokusuar të bëj më të mirën për skuadrën e Gjilanit”, ka thënë Mezani.
Skuadra e Gjilanit tashmë ka nisur të marrë formë. Krahas futbollistëve të rinj me të cilët u paraqit ndaj Prishtinës, Gjilani është përforcuar me Betim Halimin, Dajan Shehin, Besir Demirin, Elvedin Heriqin, Kushtrim Shabanin dhe Edi Bashën. Pritet t’i afrojë ndërkohë edhe katër futbollistë të tjerë për të qenë sa më i kompletuar për edicionin 2023/24. Gjilani këtë edicion u paraqit edhe në garat e UEFA-s, por u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës nga Progresi i Andorrës. Në xhiron e tretë të Superligës së Kosovës në futboll, Gjilani luan në udhëtim te Feronikeli ‘74, ekip që ka regjistruar dy humbje në po aq ndeshje të luajtura deri më tani.