Përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës i kanë bërë thirrje ministrit të Financave që mos ta merr rolin e gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese por as mos të ofendon komunat.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi iu është përgjigjur deklaratës së ministrit të Financave, Hekuaran Murati, i cili e quajti “veprim të kotë” dërgimin e ligjit për tatim në pronë në Gjykatën Kushtetuese.
Ibrahimi tha se ministri Murati nuk duhet ta merr rolin e gjykatësit dhe të konstatojë nëse një veprim i tillë është i kotë apo jo.
Pasi iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e ligjshmërisë së Ligjit për tatimin në pronë, drejtues të Asociacionit thonë se kërkesës për ta dërguar ligjin për tatim në pronë të paluajtshme iu janë përgjigjur 29 komuna nga 35 gjithsej.
Asociacioni i Komunave të Kosovës pret që interpretimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë pro shfuqizimit të këtij ligji.
“Ministri Murati nuk e di a po e merr rolin e gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese që e konsideron, e cilëson një veprim të kotë apo këtë duhet t’ia lëmë Gjykatës Kushtetuese. Një verdikt të tillë duhet ta nxjerr Gjykata Kushtetuese… Sa i përket ligjit të kaluar të tatimit në pronë, ministri Murati e dinë, është i vetëdijshëm por në deklaratë nuk po është i sinqertë, sepse vlerësimi i pronës së paluajtshme ka mund të ndodhë në vitin 2024, ku faktuarat për tatimin në pronë, do të shkonin në vitin 2025. Mirëpo, pse nuk ka ndodhur kjo, nëse i pyetni disa kryetarë të komunave, ata aludojnë që kjo nuk ka ndodhë për shkak që nëse do të ishin ngritur faturat në vitin 2024, impakti i atyre faturave do të ishte në vitin 2025, kur është edhe vit zgjedhor”, tha Ibrahimi.
I pari i komunave të Kosovës, Sazan Ibrahmi për KosovaPress, tha se pret që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë pro shfuqizimit të këtij ligji.
“Neve si Asociacion i Komunave të Kosovës, besojmë që përgjigja do të jetë pro komunave, sepse bazë kemi, për kontestimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji sepse këtu thotë nëse cenohen përgjegjësitë komunale ose zvogëlohen të hyrat e komunës, në këtë rast edhe bazuar në ligjin mbi vetë qeverisje lokale, ku është e kompetencave vetanake por e kemi kartën evropiane mbi vetëqeverisje lokale si akt ndërkombëtar, ku aty kemi të bëjmë me autonominë financiare por edhe me automatizëm, nëse ndodhë një gjë e tillë, edhe zvogëlohen të hyrat vetanake… Si i thua një kryetari të komunës zvogëlojë buxhetin tënd kur me atë buxhet janë paraparë shumë projekte për investime kapitale. Pse niveli qendror merr vendime në kurriz të komunave, nëse e merr një vendim merre me buxhetin tënd”, u shpreh Ibrahimi.
Ibrahimi theksoi se dëmet që mund t’iu shkaktohen komunave me miratimin e këtij ligji mund të shkojnë deri në 30 milionë euro.
“Në këtë rast në mënyrë të drejtpërdrejt është cenuar përgjegjësia apo kompetenca vetanake e komunës, por gjithashtu kjo ka ndikim edhe në zvogëlimin të hyrave komunale, e në bazë të shënimeve të cilat i kemi neve vlerësojmë që dëmi që do t’i shkaktohet buxheteve komunale do të jetë rreth 30 milionë euro. 30 milionë euro për komunat është një shumë jashtëzakonisht e lartë, duke marrë parasysh që vetëm 22.6 për qind vitin e ardhshëm do të ndahet për komuna, kurse 77.4 për qind do të jetë në nivelin qendror. …Në komunat rurale, por edhe në komunat e mesme nëse bëhet një falje e tillë, do të dëmtohen rreth 80 për qind e më shumë ndoshta, mjetet financiare nga të hyrat vetjake nga tatimi në pronë”, tha Ibrahimi.
Ai i bëri thirrje nivelit qendror që mos ta polarizojë shoqërinë kosovare.
“Neve i bëjmë thirrje nivelit qendror që mos ta polarizojë shoqërinë kosovare duke shkaktuar probleme ndërinstitucionale, fjalorin të cilin është duke e përdorur….Ai tha që komunat po sillen në mënyrë me hipokrizi duke aluduar se po thonë kështu e po veprojnë ndryshe. Në këtë rast neve kërkojmë që komunat mos të ofendohen, një fjalor i tillë të lihet anash…Është bërë një rivlerësim i pronave vitin e kaluar me impakt të faturave këtë vit, kurse ligji i cili i referohet ministri Murati, aty thotë që Ministria e Financave nëpërmjet departamentit përkatës për tatimin në pronë kryen vlerësime të përgjithshme një herë në çdo tre vjet ose një herë në çdo pesë vjet, e ka pas mundësinë që në vitin 2022 apo në vitin 2024”, potencoi Ibrahmi.
Ibrahmi tregoi se i kanë pranuar shënimet nga 29 komuna të Republikës së Kosovës, por sipas tij, kjo nuk do të thotë që komunat tjerat nuk kanë dashur t’i dërgojnë ngaqë e kanë pasur kohën e kufizuar, dhe se zyrtarët komunal mund të kenë qenë në pushime.
Të premten është dorëzuar kërkesa për vlerësimin e ligjshmërisë së Ligjit për tatimin në pronë të cilin e kanë bërë drejtori ekzekutiv i Asociacionit, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.