Lidhur me procedurat dhe interesimin e infermierëve që të dalin jashtë vendi ka folur për Gazeta Blic Albulenë Shala, drejtoresha e kompanisë Comsente.
Ajo ka treguar se kjo kompani ju ndihmon kandidatëve që nga mësimi i gjuhës e deri tek licensimi në Gjermani.
“Ne si agjension e kemi për detyrë gjetjen e vendit të punës dhe mbështetjen në kurset e gjuhës gjermane si në provime, çertifikimin e nivelit të gjuhës që i nevojitet prej ambasadës, procesi i vizave dhe njohjes së diplomës si dhe gjetjen e vendit të punës, akomodimin, mbështjetjen më vonë si shkon pjesa e përgatitjes për licensim në Gjermani” ka thënë Shala.
Drejtoresha e kësaj kompanie ka folur dhe për interesimin në përgjithësi dhe ka treguar se kandidatët, infermierin e shohin vetëm si mundësi me dal jashtë vendit e jo ta ushtrojnë si profesion.
“Interesimi është në rritje e sipër, pra infermieria nuk është më një profesion që zgjedhet se kanë dëshirë të bëhen infermier por për arsye se e shohin si një mundësi që me dal jashtë shtetit më lehtë, kërkesa për momentin është shumë e madhe nga ana e kandidatëve, tash përgaditjen po e bëjnë edhe vet pa agjensione të ndryshme dhe po vijnë të gatshëm në nivel të gjuhës dhe po i shohin mundësit se cilat janë që me shku jashtë vendit”.
Tutje ka ritheksuar se kandidatët qe dalin jashtë përmes kësaj kompanie punësohen në profile të tjera e jo në infermieri si dhe ka folur për mungesën e vendeve të punës në Kosovës.
“Unë jam e gatshme me i shpall listat,asnjë prej kanditatëve që i kemi dërgu ne në Gjermani nuk ka qenë i punësuar në profilin e infermierisë por kanë qenë të punsuar në markete taksi e vende tjera vetëm mos t’u bërë barrë e familjes, e kam thënë dhe e them prap që infermieria është një mundësi vetëm me dal jashtë, e kemi një numër të madh diku në vit 3500 diplomojnë kurse ne e dim se sa konkurse hapen që nuk mundet me i absorbu tregu i punës për këtë arsye ka infermier mjaftueshëm Kosova problemi është që nuk ka vende të punës të mjaftueshme”, ka thënë Albulenë Shala.
Lidhur me këtë temë ka folur dhe kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës, Nexhmije Gori, ku ka treguar se ata të cilët dëshirojnë të dalin jashtë vendit kërkojnë vërtetime për të kaluarën etike (Janë vertetime qe deshmojne se personi qe eshte i licensuar ne OIK nuk ka bërë shkelje etike dhe nuk i është hequr licensa për shkak të shkeljeve etike) dhe licensë (licensë që iu duhet kandidatëve për të dal jashtë vendit).
“Sa i përket largimit të infermierëve nga Kosova i referohet kryesisht kërkesave të anetarëve për vërtetime për të kaluarën etike të cilat i përcjellin në shtetet ku synojnë të punojnë apo licensave të cilat si të tilla kërkohen nga ambasadat e shteteve perëndimore”, tha kryetarja e OIK-së.
Sipas të dhënave nga OIK-ja, vetëm deri më 2 qershor të këtij viti, 350 infermierë kanë kërkuar licensa për largim nga vendi.
Mes tjerash ka treguar edhe arsyet e largimit të infermierëve si dhe ka thënë se paraqesin shqetësim.
“Arsyet e largimit janë të ndryshme dhe normalisht qe paraqesin shqetesim për ne si OIK, kryesisht janë këto arsye të largimit të infermierëve nga Kosova, arsyet financiare – paga shumë më të larta në vendet ku shpërngulen, cilësia më e mirë e jetesës në vendin ku emigrojnë, siguria dhe kushtet më të mira të punës në vendet ku shpërngulen etj”, tha ajo për GazetaBlic.