I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se SHBA-ja është “thellësisht e përkushtuar ndaj Srebrenicës dhe banorëve të saj” dhe se “mbetemi të përkushtuar në mbështetjen tonë për Bosnjë e Hercegovinën në rrugën e saj euroatlantike”.
Këtë deklaratë Escobar e dha në një video të publikuar nga Ambasada e SHBA-së në Bosnjë. Diplomati amerikan i dha rëndësi mbamendjes së një prej masakrave më të rënda të Serbisë në luftërat e ish-Jugosllavisë.
Ai njoftoi se ka bërë homazhe te Memoriali në Srebrenicë për viktimat e gjenocidit të kryer në korrik të vitit 1995.
“Shtetet e Bashkuara nuk do të harrojnë kurrë dhe do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për të gjithë ata që kërkojnë të gjejnë të zhdukurit,të cilët përpiqen të marrin përgjigje për pyetjet, të cilët ofrojnë mbështetje për të mbijetuarit dhe kërkojnë drejtësi për mizoritë e kryera”, tha i dërguari amerikan.
Escobar tregoi se e ka vizituar edhe qendrën përkujtimore dhe varrezat në Potoçar.
“U preka nga historitë e nënave të Srebrenicës”, tha Escobar, duke treguar se ato theksuan rëndësinë e ofrimit të mbështetjes për të mbijetuarit e masakrës, “për ata që kërkojnë ta ruajnë kujtimin e viktimave”.
“Faktet për gjenocidin në Srebrenicë janë vërtetuar dhe nuk mund të kontestohen”, theksoi Escobar.
Ai tha se mohimi i gjenocidit, glorifikimi i kriminelëve të luftës u shkakton dhimbje viktimave dhe vuajtje familjeve të tyre.
“Ai gjithashtu shkatërron strukturën e shoqërisë në Bosnjë e Hercegovinë dhe është një kërcënim për stabilitetin e saj”, tha Escobar.
The United States remains committed to Srebrenica and its citizens, and we remain steadfast in our support for Bosnia and Herzegovina on its Euro-Atlantic path. pic.twitter.com/Cae0X2Qq6n— US Embassy Sarajevo (@USEmbassySJJ) August 29, 2023