Kliton Gërxhani nga shoqata e tur operatorëve turistikë, thotë se Shqipëria po orientohet drejt turizmit masiv dhe kjo sipas tij është e gabuar. Për të siguruar të ardhura të lartë, nisur nga numri i kufizuar ai tha se duhet synuar turizmi cilësor dhe jo sasior.
“Gabimi është bërë në vizionin e qeverisë për mënyrën se si do ta zhvillojë turizmin. Nëse një shtet me 2.5 milionë banorë synon të ketë 10 milionë turistë do të thotë se ti po synon shumë sasinë mirëpo sasia ka shumë dëme. Nuk mund të bëjmë garë me Greqinë apo Kroacinë sepse janë vende më të mëdha dhe me më shumë njerëz për të shërbyer”, tha ai.
Sipas z. Gërxhani, Shqipëria aktualisht merr rreth 250 euro nga një turist i huaj që viziton vendin tonë dhe është shifra më e ulët në rajon.
“Për një qëndrim, ne marrim 250 euro afërsisht dhe Kroacia merr 500 euro, Mali i Zi 400, Greqia e ka 600 apo Izraeli e ka 1500 euro”, tha z. Gërxhani. Ai shtoi se turizmi cilësor është sfidues pasi kërkon vizion, nivel të lartë kualifikimi dhe infrastrukturë.