Forcat ushtarake turke që janë vendosur së fundmi në Kosovë, do të kthehen në Turqi të mërkurën, njoftoi ministria turke e Mbrojtjes.
“Turqia vazhdon të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global në kuadër të detyrave në OKB, NATO, BE dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si dhe në kontekstin e marrëdhënieve dypalëshe dhe monitoron nga afër zhvillimet në Ballkan, ku ekzistojnë vlera të përbashkëta historike dhe kulturore”, thuhet tutje në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Turqia vendosi trupa shtesë në Kosovë në qershor të këtij viti në përgjigje të kërkesës së NATO-s pas tensioneve të fundit në veri.
“Njësia jonë e dislokuar, pas mbërritjes së saj në kazermën Sulltan Murat në Kosovë më 6 qershor 2023, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në garantimin e paqes në Kosovë mes 10 qershorit dhe 31 gushtit dhe ka përmbushur me sukses misionin e saj”, tha Ministria e Mbrojtjes e Turqisë, njofton Anadolu Agency.