Në nder të shënimit të 24-vjetorit të Policisë së Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka theksuar se tashmë ky institucion është me besueshmërinë më të madhe në shoqëri, falë punës së suksesshme të zyrtarëve policorë.
Ai tha se anëtarësimi në Interpol nuk po ndodhë për shkak të pengesave politike.
Në aktivitetin e sotëm të PK-së, ministri Sveçla tha se nga puna e madhe e Policisë së Kosovës, edhe numri i rasteve të pazbardhura është minimal. Ai shtoi se është mirë që PK pas një kohe të gjatë është jashtëzakonisht e suksesshme në pjesën veriore të vendit.
“Sa i takon aftësive së PK-së patjetër që jo vetëm se PK do të ishte pjesë e Interpolit, por do të ishte një ndër policitë më të mira në Interpol, ashtu siç është policia më e mirë në rajon. Është çështje e pengesave politike, për të cilat të gjithë jemi dëshmitarë. Jam i bindur se me një mobilizim të duhur të të gjithë akterëve në këtë fushë do të arrijmë edhe këtë sukses, ashtu siç edhe u bëmë pjesë apo dërguam përfaqësuesin tonë në Europol”, tha ai njofton KP.
Sa i përket sasisë që është sekuestruar me armë gjatë ditës së djeshme në veri të vendit, ministri Sveçla, tha se janë duke punuar në këtë drejtim, dhe shumë shpejtë secili do të jap llogari për krimet që ka bërë.
Derisa ka uruar gjithë zyrtarët policorë në këtë ditë, ai tha se do të bëjnë përpjekje që Policia të ketë mbështetje më të madhe nga Qeveria.
Ndërkaq, duke folur për kushtet e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe mos pagesën për rrezikshmëri, Sveçla tha se po bëjnë përpjekjet e duhura që ky institucion të ketë mbështetjen e duhur në këtë drejtim nga Qeveria e Kosovës.
Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se qëllimi i kësaj ekspozite është që qytetarët të ndjehen të sigurt.
Mes tjerash, Hoxha foli edhe për rekrutimin e policëve të rinj, duke shtuar se rreth 500 do të bëhen pjesë në këtë institucion.