Kufoma e shtetases argjentinase, Maria Clara Urdungaray, e cila dyshohet se u vra nga i dashuri i saj në Fushë Kosovë, ende nuk është transportuar për te familja e saj në Argjentinë.
Nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se janë në fazën e përmbylljes së procedurave ligjore.
Po ashtu, nga ky dikaster kanë deklaruar se shpenzimet për bartjen e kufomës do të mbulohen nga Qeveria e Kosovës, ndonëse nuk është bërë e ditur shuma.
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju informojmë se trupi i ndjerë i argjentinases ende nuk është transportuar në Argjentinë. Jemi në fazën e përmbylljes së procedurave ligjore dhe Qeveria e Kosovës do të bart shpenzimet për bartjen e kufomës”, thuhet në përgjigjen e MD-së për Telegrafin.
Ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit të dyshuarit për vrasjen e Clara Urdungaray.
Argjentinasja 27-vjeçare ka vdekur më 2 gusht pasi ka rënë nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë derisa ishte me të dashurin e saj, Endrit Nika.
Ky i fundit me shtetësi zvicerane, është arrestuar nga autoritetet vendore si i dyshuar për rastin.
Facundo Urdangaray, babai i Maria Clara Urdangaray, ditë më parë ka dhënë detaje të reja për ecurinë e hetimeve.
Ai ka treguar se mjekësia ligjore ka gjetur lëndime që nuk përputhen me rënien nga lartësia, pra ato ishin të mëparshme.
Edhe pse ende nevojitet më shumë ekspertizë, kjo do ta komplikonte Endrit Nikën, të dashurin e saj 31-vjeçar, pasi rasti po hetohet si një femicid i mundshëm.
“Ata kanë gjetur shenja në trupin e vajzës sime se ka pasur lëndime të mëparshme. Mavijosje në krahët e saj. Kur një person bie nga një lartësi e tillë, ai ka lëndime të caktuara, por nëse ju shtrëngojnë fort krahët, ato lëndime nuk janë prej rënies,” ka shpjeguar Urdangaray për Radio 221 në Argjentinë.