Partia Demokratike e Kosovës, ka mbajtur sot mbledhjen e përbashkët në mes të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar.
PDK-ja ka njoftuar se gjatë këtij takimi është diskutuar për situatën aktuale politike.
Në komunikatën e kësaj partie thuhet ndër të tjera se korrupsioni ka kapluar institucionet dhe zyrtarët e lartë Qeverisë.
“Skandalet dhe aferat e njëpasnjëshme të kësaj Qeverie, nga arsimi, ekonomia, shëndetësia, drejtësia e deri te diplomacia, po përkeqësojnë çdo ditë mirëqenien e qytetarëve dhe pozicionin e shtetit të Kosovës”.
“Korrupsioni masiv që ka kapluar institucionet dhe zyrtarët e lartë të kësaj Qeverie, shpërfaq paaftësinë e thellë dhe abuzimin e qëllimshëm me detyrat dhe përgjegjësitë zyrtare”.
Në komunikatë thuhet se për PDK-në, kjo qeveri e ka humbur çdo kredibilitet.
“Për PDK-në, kjo Qeveri tashmë e ka humbur çdo kredibilitet dhe nevoja për t’u rikthyer tek qytetarët, përmes zgjedhjeve të parakohshme, është e domosdoshme.Kosova, sot, para se gjithash, ka nevojë për një Qeveri kredibile, të përgjegjshme, të aftë dhe e cila, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, do ta rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”.
“Partia Demokratike e Kosovës, përmes të gjitha organeve dhe zyrtarëve të saj, në të gjitha platformat e posaçërisht në Kuvendin e Kosovës, mbetet e angazhuar që të mbrojë ligjshmërinë, interesin e shtetit dhe të qytetarëve”, thuhet tutje në komunikatë.