Është publikuar agjenda për takimin e nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që do të mbahet më 14 shtator në Bruksel.
Sipas komunikatës së BE-së, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, së bashku me të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë takime të ndara me Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiqin që nga ora 9:00.
Pas këtyre takimeve të ndara, do të pasojë një takim i përbashkët trepalësh.
Pas këtyre takimeve, do të ketë deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ku do të shpalosen detaje rreth takimit.