Kombëtarja e Kosovës humbi me rezultat 2:0 kundër Rumanisë.
Por, jo gjithçka shkoi mirë sa i përket organizimit në stadiumin “National Arena” në Bukuresht.
“Dardanët” u provokuan rëndë nga tifozët rumunë të cilët shfaqen banerit me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, e po ashtu brohorisnin “Serbia Serbia”.
Kësisoji, menjëherë erdhi reagimi i shtabit teknik kosovar të cilët e detyruan edhe referin ta ndërpresë lojën në minutin e 18-të.
Loja nisi tek pas 45 minutash kur u largua baneri nacionalist dhe u morën masat e nevojshme që lejuan vazhdimin e ndeshjes.
E lidhur me skandalin, janë prononcuar nga Federata e Futbollit të Rumanisë.
Zyrtarët e kësaj federate deklaruan për CNN se baneri ishte futur ilegalisht nga një grup i ultrasëve.
Ata konfirmojnë se janë identifikuar edhe personat që e kanë kryer këtë vepër.
“Ne i dënojmë mesazhet provokuese, ideologjike, politike, fetare apo edhe fyese. Do të zhvillohet një hetim bazuar në fakte”, thuhet nga Federata rumune e futbollit.