Gazetari Milaim Zeka ka hapur një temë që sipas tij është skandal në vete, duke thënë se po bëhen abuzime me gratë e përdhunuara gjatë luftës në Kosovë, njësoj sikurse po abuzohet edhe me numrin e veteranëve, raporton Gazeta “Enigma”.
Zeka në Frontal të T7 ka thënë se ka fakte që ka gra të cilat nuk kanë qenë farë në Kosovë gjatë luftës, e që sipas tij po lajmërohen si gra të përdhunuara.
“Pse ne nuk e kemi guximin qytetar me e hapë nje temë që është super e ndjeshme. Pse ne nuk guxojmë me thënë që është duke u abuzu me gratë e përdhunuara në luftë në të njëjtin format që është abuzu me veteranët e luftës. Kam argumente, fakte që femrat të cilat fare nuk kanë qenë në Kosovë, kanë qenë jashtë territorit të Kosovës janë duke u lajmëru te komisioni qeveritar duke thënë se ne kemi qenë të përdhunuara, dhe në mesin e tyre ka edhe meshkuj”, ka thënë Zeka.
Tutje ai tha se shifra e grave që janë të regjistruara si të përdhunuara gjatë luftës nuk është e saktë.
Ai tha se me këto shifra është abuzuar njësoj sikurse edhe me veteranët.
“Kjo temë të cilën unë po e hap sot, është shumë skandal, por mas 5 viteve, nga 13 mijë veteranë janë bërë 60 mijë.Le të dalin në debat le të më thotë dikush, kush e pjelli shifrën 20 mijë gra të përdhunuara, kush e pjelli këtë shifër.Organizata që abuzojnë me përdhunimin e nënave tona, e motrave tona për me marrë buxhet nga qeveria me marrë buxhet nga ndërkombëtarët, këto janë abuzime”, ka shtuar Zeka.