Stacioni Policor në Gjakovë ka pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore kishte tërhequr me forcë një grua nga një taksi dhe e kishte futur në veturën e tij, duke u larguar në drejtim të panjohur.
Rasti ka ndodhur sot rreth orës 15:20, në rrugën “Yll Morina”.
Pa humbur kohë është filluar me mbledhjen e informatave dhe pas një procesi operativ dhe hetimor është arritur të identifikohet dhe të arrestohet i dyshuari me inicialet M.U., mashkull kosovar i lindur në vitin 1987 mbi dyshimin se kishte privuar nga liria viktimën (femër e moshës madhore) dhe i kishte shkaktuar lëndime trupore.
Viktimës iu është ofruar ndihma mjekësore si dhe është njoftuar prokurori i shtetit me vendimin e të cilit i dyshuari është ndalur në mbajtje si dhe është iniciuar rast “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”.