Një qërim hesapesh mes dy grupesh, kishte rezultuar me fatalitet për 31-vjeçarin, Hisen Berisha. Keq e pësoi edhe vëllai i tij, Kastrioti, i cili mori plagë të rënda pasi u qëllua me armë zjarri. E dy të dyshuarit për vrasjen e rëndë në Kaçanik, kishin arritur që të arratisen nga vendi i ngjarjes dhe që nga 10 maji i vitit të shkuar ishin në kërkim policor.
Policia Rajonale në Ferizaj përmes një komunikate për media bën me dije se autoritetet gjermane kanë ekstraduar në Kosovës njërin prej të dyshuarve, i cili ishte arrestuar disa ditë më parë në Gjermani.
Bëhet fjalë për 22-vjeçarin, Lirim Tusha, i cili tashmë është dërguar në paraburgim për 30 ditë me vendim të Gjykatës Themelore në Ferizaj.
“Me kërkesë të autoriteteve vendore, sot, datë 16.09.2023, autoritetet e shtetit të Gjermanisë kanë ekstraduar në aeroportin e Prishtinës të dyshuarin L.T ( M/K ) i moshës 38 vjeçar, i cili ditë më parë është arrestuar në Gjermani. Policia Rajonale e Ferizajt të dyshuarin e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe ndaj tij nga gjykata është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, ndërsa në kërkim policor mbetet i dyshuari tjetër H.Q. ”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I dyshuari tjetër, Hyqmet Qorri, ndodhet akoma në arrati dhe organet e hetuesisë po vijojnë kërkimet për lokalizimin e vendndodhjes së tij.Hyqmet Qorri
Qorri dhe Tusha dyshohen se kanë shtënë me armë zjarri AK-47 në drejtim të dy vëllezërve, njërin prej të cilit e vranë, ndërkaq tjetrin e lanë të plagosur rëndë.
Detajet lidhur me vrasjen e rëndë mund t’i lexoni në linkun e mëposhtëm.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.