Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka arrestuar tre persona në Gjilan nën dyshimin për prerje dhe shitje të druve.
Njëri nga të arrestuarit është përgjegjës i pyllit. Policia ka njoftuar se në fshatin Muqivërcë ka ndaluar dy kamionë të cilët po transportonin masë drusore për ngrohje, dokumentacioni përcjellës i të cilëve kishte rezultuar i dyshimtë.
“Për shkak të dyshimeve për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, prokurori kujdestar ka urdhëruar që nga pylltari përgjegjës, përkohësisht të sekuestrohen dy kamionët me masë drusore, ndërsa nga shitësi i tyre të sekuestrohen vendimet e lejes për prerje të druve, deri në verifikimin e gjendjes faktike. NJHRKEK, Gjilan ka kryer veprime hetimore/operative, dhe kanë arritur të sigurojnë dëshmi se i dyshuari RR.G., m/k (1967) me qëllim që vetes ti sjellë përfitime pasurore është përfshirë në veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” duke lëshuar dokumente fiktive (fletëpërcjellje) dhe duke ua mundësuar të dyshuarve A.SH. m/k (1969) dhe H.SH., m/k (1963) bartjen e drunjëve me dokumentacion jo të rregullt”, thuhet në njoftim.